Rektori i Universitetit të Shkodrës: Në raundin e parë u regjistruan 44% nga totali i kuotave

14 Shtator 2018, 14:20 | Përditesimi i fundit: 2018-09-14 17:09:03

Emigrimi i nxënësve pasi kryejnë shkollat e mesme qoftë jashtë Shqipërisë apo edhe migrimi nga qytetet e veriut drejt Tiranës, ka ndikuar që numri i studentëve edhe këtë vit në universitetin e Shkodrës të jetë i ulët. Tashmë këtë e pranon edhe Adem Bekteshi, rektor i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili foli për raundin e parë të regjistrimeve

Në raundin e parë janë të regjistruar në universitetin e Shkodrës 44% nga numri total i kuotave ndërsa rënia me 200 e numrit të studentëve krahasuar me një vit më parë vjen edhe për shkak të një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Rektori Bekteshi nga ana tjetër pranon edhe faktin tjetër se kuotat për degë të ndryshme në universitetin “Luigj Gurakuqi” janë të fryra në një kohë kur kërkesat janë më të ulëta. Edhe këtë vit rrezikon që dega e fizikës të mos hapet në universitetin e Shkodrës, ndërsa e diskutueshme është edhe ajo e arteve.

Pas raundit të parë të regjistrimeve, i cili përfundoi dje, jep shifrat që në universitetin e Shkodrës , janë regjistruar 44% e gjithë kuotave që universiteti ka ofruar për nxënësit e shkollave të mesme. Në këto regjistrime janë rreth 200 regjistrime më pak se vitin e kaluar. Këto studentë rezultojnë më pak të regjistruar në programet e mësuesisë. Ne presim që në raundin e dytë të aplikojnë studentë të tjerë, dhe të regjistrohen në programet tona të studimit. Kjo nuk shkaktoi ndonjë kolpas në mbylljen e programeve të studimit ose në mosaktivizimin e tyre. Dega fizikës nuk u hap as vitrine kaluar, po ashtu dhe sivjet. Ndërsa artet janë degë që rrisin larminë e universitetit, ndaj i ftoj të gjithë studentët që kanë prirje në arte të regjistrohen në degët e tyre të preferuara. Në raundin e parë në arte nuk ka pasur shumë regjistrime, por ne presim raundin e dytë që të plotësohen këto degë.

Adem Bekteshi, rektor i universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Në raundin e parë vetëm degët mami dhe edukim fizik e sporte kanë kërkesë 100%, infermieria 97%, anglishtja, financë kontabilitet dhe fizioterapia me afro 70%, ndërsa degët e tjera përveç juridik dhe administrim biznes janë nën 50%.