Rëndohet situata e reshjeve në Shkodër, Forcat e Armatosura nisin evakuimin e banorëve dhe të gjësë së gjallë

11 Shkurt 2021, 15:06

Reshjet e dendura kanë sjellë edhe përkeqësim të situatës së përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës.

Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në terren për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur dhe pushtetit lokal për të përballuar situatën.

Trupat dhe mjetet e batalionit të i të këmbësorisë së Vaut të Dejës (b1k) evakuuan 2 familje në lagjen “Iliria” të qytetit të Shkodrës, të cilat u transportuan për t’u strehuar në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 150 krerë bagëti e imët nga lagjja e njohur si Livadhet pranë bregut të liqenit në qytetin e Shkodrës.

Në njësinë administrative Dajç, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 2000 shpendë nga një fermë private, për t’i dërguar në fshatin Shirq.

Në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit vijon transporti i banorëve për nevojat e tyre të përditshme nëpërmjet mjeteve lundruese të batalionit të mbështetjes rajonale (BMR) dhe mjeteve të kalueshmërisë së lartë të b1k.