RENEA arrestime në Elbasan\ Pjesa e dytë

15 Qershor 2019, 15:01

I ftuar në "Repolitix", gazetari investigativ Artan Hoxha paralajmëroi publikimin shumë shpejt të një videoje të përplasjes së anëtarëve të fisit Çapja me forcat Operacionale të Policisë disa vite më parë.

Sipas Hoxhës, në megaoperacionin e orëve të para të mëngjesit këtë të premte në Elbasan, ku u arrestua edhe Florenc Çapja, kanë marrë pjesë vetëm RENEA dhe FNSH nga Tirana, dhe jo Forcat Operacionale, të cilët nuk janë përfshirë më që pas zjarrit që ju hap nga pjesëtarët e grupit kriminal në Elbasan, më 8 qershor 2016.

"Prandaj nuk është përfshirë edhe skuadra operacionale sepse është goditur direkt, ka pasur një betejë. Do e bëj gati javën tjetër atë materiale dhe do të shikoni që zjarri i hapur mes punonjësve të operacionales dhe pjesëtarëve të një grupi kriminal në Elbasan të duket sikur je në Sinaloa të Meksikës dhe karteli i Sinalos po lufton me gardën meksikane. Uroj që ky të jetë fillimi dhe jo fundi. Sepse me të vërtetë Elbasani ka nevojë për ta zbërthyer një herë e mirë dhe për të dhënë drejtë për kaq shumë njerëz të vrarë, dhe familje e fise që kanë ikur nga sytë këmbët nga Elbasani për t'i shpëtuar këtyre njerëzve që mbanin nën sundim qytetin", tha Artan Hoxha.