Rënia më e ulët se çdo parashikim i bërë gjatë pandemisë! Denaj: Më e kontrolluar se rajoni

31 Mars 2021, 12:37 | Përditesimi i fundit: 2021-04-01 08:11:25

Statistikat zyrtare të INSTAT për Produktin e Brendshëm Bruto dhe rritjen ekonomike gjatë vitit të shkuar 2020 dëshmojnë se, goditja që ekonomia mori nga pandemia dhe recensioni i shkaktuar ishin në mënyrë domethënëse mjaft më të përmbajtura se sa pritshmëritë dhe shqetësimet fillestare. INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2020, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, pësoi një rënie prej 3,31 % krahasuar me vitin 2019.

Në raportin e INSTAT bërë për 3 mujorin e fundit të vitit 2020,  ekonomia u rrit me 2.9% krahasuar me 3-mujorin e 4 të vitit 2019. Pra në 3 muajt e fundit të 2020 u regjistrua rritje ekonomike 2.99 % pas rënies gjatë 9 muajve te vitit.Kontribut pozitiv në muajit tetor-dhjetor kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,52 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,49 pikë përqindje dhe, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje;  aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje.

Praktikisht rënia e Prodhimit te Brendshëm Bruto ishte më e ulët se parashikimet e bëra. INSTAT e ka materializuar rënien në nivelin 3.3%, ndërsa Ministria e Financave priste rënie 4.4%

Kjo është rënia më e ulët gjatë viti të pandemisë, ku fillimisht projeksione nga institucione të ndryshme (përfshirë MFE, FMN, BB, KE, etj.) varionin në një interval të recensionit nga rreth – 6% në – 7.5%, sipas statistikave paraprake.

Ministrja e Financave, Anija Denaj tha se rënia ekonomike e Shqipërisë në 2020 ishte më i kontrolluari në rajon, ku recensioni mesatar i vendeve të rajonit shkoi në 5.14%.