Report TV - 28 nëntori/ Në Vlorë nuk mungojnë shqiptarët e Kosovës: Nuk mund të na ndalte COVID

28 Nëntor 2020, 13:51

Ashtu si çdo vit, edhe në këtë 28 nëntor nuk mund të mungonin shqiptarët e Kosovës në festën e Flamurit në Vlorë. Me qindra kanë ardhur në qytetin e Pavarësisë për të festuar ditën më të rëndësishme të kombit. Duke folur në mikrofonin e mediave të pranishme në Vlorë disa prej tyre shprehen se COVID-i nuk mund t'i ndalte ata për të qenë të pranishëm sot, bashkë me të gjithë shqiptarët e tjerë. “Si çdo herë, COVID nuk mund të na ndalojë çështjen kombëtare dhe ditën e Flamurit, ditë e shenjtë për shqiptarinë. Unë vij thuajse çdo vit. Unë mendoj që komandantët që kanë qenë në luftë populli i përkrahu por gabimet që kanë bërë pas luftës i kanë individuale, ndaj dhe komandantët tonë duhet të përballen në gjyqin e Hagës”, është shprehur një qytetar. "Këtu është më mirë se në Kosovë", tha një 8-vjeçar i emocionuar nga Suhareka. “Për një festë kaq të madhe siç është 28 nëntori ja vlen që ne të gjithë shqiptarët të jemi në vendin e Flamurit në Vlorë”, është shprehur një tjetër.