Report TV brenda IGJEUM, Hoxha: Nëse tërmeti do kishte ndodhur para 2000, dëmet do ishin më pak

1 Dhjetor 2019, 16:59

1330 lëkundje sizmike janë regjistruar pas tërmetit 6.4 ballë që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit 2019, ndërsa për ReportTv, Ismail Hoxha eksperti sizmiologjisë shprehet se ska arsye për panik por duhet ruajtur qetësia.

Report Tv ditën e sotme ka qenë në ambientet e brendshme të laboratorit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjise, Ujit dhe Mjedisit, ku ka parë nga afër se si funksionon ky laborator dhe se si maten tërmetet.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka kryer një intervistë me punonjësit e IGJEUM, të cilët kanë thënë se monitorimi i tërmeteve dhe pajisjet për këtë janë shpërndarë në të gjithë vendin.

Ndërkohë aparaturat e IGJEUM kanë arritur të kapin edhe lëkundjen e fundit sizmike që u regjistrua teksa kamera e Report Tv ishte prezente.

Kjo lëkundje ishte me epiqendër pranë Krujës dhe me magnitudë 2.9. Ndërkohë lëkundja e mëngjesit u regjistrua në Kepin e Rodonit. Deri më tani janë shënuar në total 1330 lëkundje që nga tërmeti i së martës.

Ndërkohë punonjësi i IGJEUM, Ismail Hoxha është shprehur se në Shqipëri nuk është bërë një hartë sizmologjike prej kohësh dhe se prej 40 vjetësh nuk kishim një tërmet të këtyre përmasave që goditi më 26 nëntor.

Shqipëria sipas Hoxhës ndodhet në një zonë sizmike të lartë kjo edhe për shkak të pllakës së Adriatikut, një ndër 7 pllakat sizmike më të larta në botë.