TIRANË- Televizioni Report TV dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, i cili prej 60 vitesh realizon në Itali sondazhe zgjedhore për RAI-n dhe për televizionet më të rëndësishme kombëtare, bënë një marrëveshje për të ndjekur gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri deri më 25 prill 2021.
Sondazhi i parë do të transmetohet të martën, 8 dhjetor gjatë programit "Repolitix" të drejtuar nga Denis Minga në orën 20:55. Temat mbi të cilat do të përqendrohet ky sondazh i parë, i përkasin opinionit të shqiptarëve mbi sjelljet e qeverisë Rama si në reagimin ndaj tërmetit, ashtu dhe menaxhimin e pandemisë, por edhe për tema thelbësore për punën e një qeverie si: lufta ndaj korrupsionit, reforma e Drejtësisë, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i turizmit, marrëdhënia me mediat etj.
Instituti Piepoli do të testoje opinionin e shqiptarëve edhe mbi qëndrimet e opozitës dhe të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Një pjesë e sondazhit do t'i dedikohet natyrisht parashikimit të votimeve 4 muaj para ditës së zgjedhjeve.
Zv/Presidenti i Institutit Piepoli Livio Gigliuto do të komentojë bashkë me analistët e pranishëm në studio, detajet e sondazhit, që është ndjekur nga Milano nga presidenti dhe themelues i Institutit, profesor Nicola Piepoli të cilin e kemi intervistuar.
