Report TV Ekskluzive / Deputetët e PD LSI që përfituan dieta pasi dorëzuan mandatet

11 Gusht 2019, 10:58

Opozita shqiptare nuk ka hequr dorë nga privilegjet parlamentare edhe pas dorëzimit të mandateve të përfaqësimit në Kuvend. Deputetë të Partisë Demokratike, por sidomos të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë pranuar dhe përfituar dieta, para për shpenzime për karburant dhe telefon edhe pasi braktisën Kuvendin dhe firmosën dorëzimin e mandatit të deputetit, në kuadër të aksionit politik për të rrëzimin e qeverisë ‘Rama 2’, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në 20 shkurt të këtij viti, deputetët e PD-LSI, me përjashtim të Rudina Hajdarit, Myslim Murrizit dhe Lefter Kokës, firmosën nga një deklaratë për ‘djegien’ e mandateve, ndërkohë që kishin nisur bojkotin e Kuvendit. Në datën 4 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi zëvendësimin e deputetëve të PD-LSI me kandidatët për deputetë në listën shumemërore për zgjedhjet parlamentare të 2019. megjithatë, sipas një dokumenti të Kuvendit për përfitimet e deputetëve, i siguruar nga Shqiptarja.com, gjatë muajt mars të këtij viti, 19 ish-deputetë të opozitës kanë përfituar dieta nga buxheti i Kuvendit. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka përfituar 37,625 lekë dieta në muajt mars 2019. Ndërkaq, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, 43,266 lekë ose rreth 400 USD dieta.

Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, i zgjedhur deputet në listat e Partisë Demokratike, rezulton se ka përfituar 4,000 lekë për shpenzime për karburant si dhe 1,700 lekë për shpenzime për telefon në muajin mas 2019. Ndërkaq, ish-deputetët e LSI, Agron Çela dhe Vangjel Tavo, në muajin mars të këtij vitit, rezultojnë se kanë përfituar nga 75,250 lekë dieta. Deputetët Myslim Murriz, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari, të cilët nuk iu bindën partive të tyre për ‘djegien’ e mandateve, kanë përfituar të njëjtat privilegje mujore si deputetët e Partisë Socialiste.

    No videos found.