Ardian Ibrahimi, kunati i ish-efektivit të policisë rrugore Fadil Mema, ishte vënë në objektiv për t'u eleminuar, kjo pasi Ibrahimi ishte personi i vetëm që kishte parë dhe qëlluar me gurë Florenc Çapjan, në momentin kur ky ka qëlluar 11 plumba drejt Fadilit. Florenc Çapja pas kësaj ngjarje është arrestuar por më pas Çapjat kanë filluar presionet dhe vizitat në shtëpinë e Fadilit, i cili pranoi të ndryshojë dëshminë dhe të gënjejë gjykatën, duke nxjerë nga kafazi atentatorin e tij, Florenc Çapja. Por pas daljes nga burgu,problemet erdhën dhe u ndërlikuan më tepër, pasi tashmë presioni i Çapjave ishte rritur ndjeshëm mbi dëshmitarin kryesor, Ardian Ibrahimin. Ky i fundit mbahej në survejim të plotë dhe lëvizjet e tij në Elbasan monitoroheshin.
Në 28 Maj 2006, katër muaj pasi ishte tentuar të vritej Fadil Mema, ekzekutohet me 5 plumba kunati i tij Ardian Ibrahimi. Siç tregon përpara prokurorit Xhevat Hana, Xhena Doku, bashkëshortja e të ndjerit Ardian Ibrahimi, burri i saj është vrarë brenda në lokal, duke pirë dhallë me një shokun e vet. Xhena pohon momentin e tmerit që ka përjetuar, përgjakjen e duarve me gjakun e bashkëshortit dhe britmat e saj që kanë sjellë hapjen e syve të Ardian Ibrahimit. Kanë qënë dy persona që janë afruar me motor dhe kanë hyrë në lokal, ku ishin me maska dhe të veshur me të zeza. Për këtë ngjarje të rëndë policia dhe prokuroria e Elbasanit arrestoi një vrasës me pagesë Sajmir Bako, i cili u identifikua nga analiza e ADN-së, dhe se nga gjykata e Elbasanit, Bako është dënuar me 20 vite burgim. Sot “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dëshminë e Xhena Doku, bashkëshortes së Ardian Ibrahimit, rëfim i cili është dhënë para prokurorit të ndjerë Xhevat Hana.
