TIRANË - Detaje të reja kanë dalë në dritë nga historia e jahtit turk Atik Bey të braktisur në Shëngjin. Pista kryesore e hetimin, siç është raportuar më herët, është prishja e pazareve të drogës. Për herë të fundit ky jaht është regjistruar në portin e Tivarit në Malin e Zi, aty ku kapiteni Sezgin Yavuz ka qëndruar nga data 30 gusht deri në datën 2 shtator. Sinjali i fundit i përket orës 18:20 minuta në datën 2 shtator në afërsi të Kotorrit në Malin e Zi ku dhe më pas komunikimi i tij me GPS është fikur.
Report TV në emisionin "Pa Gjurmë" ka zbuluar se për motive ende të paqarta në 15-16 korrik jaht ka fikur transponderin GPS për 14 ore teksa ishte në brigjet Shqiptare, në vijën bregdetare Dhërmi- Seman dhe Durrës-Velipojë. Më konkretisht gjatë orës 17:25 (15 korrik) deri 00:21 (16 korrik) ështē fikur GPS përgjatë brigjeve në jug nga Dhërmiu në Seman. Ndërsa nga ora 02:37 (16 korrik) deri 07:49 është fikur GPS nga Durrësi deri pranë brigjeve veriore në Velipojë
Gazetarët e Shqiptarja.com dhe Report TV, Antonio Çakshiri dhe Elton Qyno, kanë mbledhur të dhëna ekskluzive të lëvizjeve të këtij jahti në dy muajt e fundit.
Sipas dokumentave treguar në emisionin "Pa Gjurme" jahti Atik Bey në datën 1 korrik është nisur nga Bodrumi në Turqi duke filluar të lundrojë drejt Greqisë dhe më pas në ujërat shqiptare, ku ka mbërritur me 15 korrik, pa fikur asnjëherë deri në këtë moment sinjalin GPS (Transponder), një aparat që lejon të gjurmohet gjithë lëvizja në lundrim e çdo mjeti lundrues.
Me 15 korrik jahti mbërriti përballë portit të Sarandës dhe që këtu nisin disa lëvizje të çuditshme: Jahti nuk futet në port, por qëndron jashtë tij për disa minuta dhe më pas rinis lundrimin: Përse? Ka kontaktuar dikë apo ka marrë në bord dikë? Jahti vazhdon lundrimin dhe përballë Dhërmiut fik Transponderin duke u zhdukur kështu nga radarët për 8 orë rresht.
GPS rindizet kur jahti Atik Bey ndodhet tashmë përtej grykëderdhjes së Semanit. Duke qenë se GPS është i fikur nuk dihet nëse jahti ka qendruar në det të hapur apo është afruar në breg. Lundrimi vazhdon dhe pasditen e 15 korrikut përballë brigjeve të Durrësit jahti e fik sërish transponderin për t'u rishfaqur 6 orë më pas, në 8 të mëngjesit të 16 korrikut përballë Velipojës, ku transponderi ndizet sërish. Nga ky moment e tutje jahti futet në ujërat e Malit të Zi dhe gjatë gjithë muajit gusht lundron në Kroaci duke prekur porte të ndryshme, deri më 30 gusht kur jahti kthehet në portin e Budves ku qëndron dy ditë dhe më pas, pasi ka fikur sërish GPS zhduket deri më 7 shtator kur gjendet në ujërat e Shengjinit pa asnjë person në bord.