Report TV EKSKLUZIVE/ Zhvarroset dosja pas 25 vitesh, rihapet 'Masakra e Peshkëpisë'

20 Mars 2019, 13:14

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur pas afro 25 vitesh hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të 10 prillit 1994, të njohur si “Masakra e Peshkëpisë”. Vendimi surprizë i prokurorit të krimeve të rënda Eugen Beci për të “zhvarrosur” një dosje që për çerekshekulli nuk është hetuar asnjëherë më parë, është marrë me 19 shkurt 2019. Në heshtje dhe pa bërë bujë, prokurori ka tërhequr dosjen nga arkiva dhe ka aktivizuar një hetim që synon të zbulojë të vërtetën në lidhje me sulmin më të rëndë që i është bërë territorit të Republikës së Shqipërisë në 30 vitet e fundit. E arkivuar në ambjentet e prokurorisë së Gjirokastrës, dosja hetimore e sulmit terrorist nga një komando ekstremistësh grekë mbi postën kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër, gati ishte harruar prej kohësh. Hetimi i kësaj ngjarje, ku mbetën të vrarë, dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, nuk i është besuar prokurorisë së Gjirokastrës. Veprimet hetimore janë përqëndruar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku prokurori Eugen Beci së bashku me oficerët e antiterrorit, po administron të gjithë praktikën hetimore duke lënë dhe një sërë detyrash të tjera hetimore që tashmë kanë nisur të kryhen.Kjo çështje është regjistruar për akuzën e “Veprime për qëllime terroriste” me pasojë vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Ndërkohë të gjitha aktet hetimore janë marrë në studim. Nga sa mësohet dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja qe erdhi nga territori grek. Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit te madh. Sipas burimeve të prokurorisë ato janë qitur nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm. “Shqiptarja.com” mëson se kjo dosje është rihapur per herë të fundit nga prokuroria e Gjirokastrës në muajin Maj 2006, ku pas një shkrimi të avokatit Ilir Malindi në një gazetë, ai evidentonte faktin se autorët e masakrës së Peshkëpisë janë arrestuar nga autoritetet greke. Sipas Malindit autorëve të sulmit të quajtur organizata “MAVI”, u janë gjetur armët e grabitura të postës kufitare dhe janë dënuar nga drejtësia greke vetëm për “armëmbajtje pa leje” dhe jo për sulmin në postën kufitare në Peshkëpi. Por rihapja e hetimit në 2006 nuk solli asnjë rezultat për sa i përket zbardhjes së autorëve, dhe dosja u arkivua sërisht.