Moikom Zeqo për 2018-ën: Statusi i kulturës gati zero, artistët njerëzit më të varfër!

2 Janar 2019, 14:24 | Përditesimi i fundit: 2019-01-02 14:25:13

2018-ta në art është konsideruar një vit debatesh, që ka la pezull shumë çështje. Artistët e Teatrit Kombëtar vazhdojnë të presin ndërtimin e godinës së re. Artistët e arteve pamore pas mbylljes përfundimisht të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” (edicioni i XXIV-të), por edhe me nisjen e rikonstruksionit të Muzeut Historik (2019), dita-ditës kanë më pak mundësi për ekspozim.

Spektaklet muzikore, që kanë në qendër muzikën joserioze kanë lënë në hije këngëtarët e mirëfilltë. Këto, por jo vetëm studiuesi edhe dijetari Moikom Zeqo për “ReportTV’ i analizon nën këndvështrimin e një kritiku, që i ka parë edhe ndjekur nga afër aktivitetet.  

“Nuk mund të jap një përgjigje prej specialisti për gjithçka, sepse nuk jam. Natyrisht që e kam përjetuar vitin 2018 gjerësisht në aspektin kulturologjik. Mund të them se ka pasur një aspekt kulturologjik lidhur me Vitin e Skënderbeut, kam ndjekur sesionet shkencore. Kumtesat ishin në një nivel më të ultë se në vitin 1968, që u bë 500-vjetori i lindjes së Skënderbeut,”- Moikom Zeqo, studiues.

Për profesorin sa i përket jetës kulturore, jeta e teatrit nuk ka kulme, përpos që ka probleme të caktuara dhe konflikte.

“Jeta e teatrit ka një shkëlqim kur promovohen artistë, emra, personalitete. Takova mikun tim, Robert Ndrenikën, e pyeta a ka ndonjë talent? “Ka disa”, tha, “por kërkojnë regjisorë edhe kushte që mungojnë”. Nuk mendoj se ka ndonjë shkëlqim teatri, ka përpjekje, por jo shkëlqim të madh,”- tha Moikom Zeqo, studiues.