Report TV në Thumanë, mes tërmetit dhe COVID-19/Banorët: Na ra një herë bomba, s'na kap koronavirusi

9 Prill 2020, 13:04 | Përditesimi i fundit: 2020-04-09 15:59:38

THUMANË- Thumana ofron pamjen e një Shqipërie tjetër, ku bëhet një përzierje e tërmetit të 26 nëntorit dhe koronavirusit. Nga ajo lëkundje tragjike, kanë mbetur gjurmë të thellë në çdo cep që shkel, teksa ende ka buqeta me lule në nderim të viktimave, e ndërsa duket se banorët nuk tremben aspak nga virusi që ka "pushtuar" vendin prej një muaji.

Report Tv ka ndjekur nga afër punimet që po bëhen nga IKMT-ja për shembjen e 9 godinave, për të nisur më pas ndërtimin e qytezës së re për banorët që mbetën në qiell të hapur. Fati deshi qëdhe Vera Fito, të kalonin pikërisht në momentin kur banesa e tyre po shembej. 30 vite në atë shtëpit, plot kujtime të bukura dhe hidhërime u shkatërruan brenda një dite. Teksa fadroma po punon mbi shtëpinë e tyre, lotët i kanë të vështirë për t'i mbajtur, por sërish nuk tërhiqen pas. Banesa e tyre nuk ishte dëmtuar nga tërmeti, nuk kishte asnjë plasaritje, tregon çifti, madje kjo godinë ka strehuar dhjetëra banorë të Thumanës, u ka dhënë kafe, një pikë ujë të gjithë forcave të Emergjencës Civile, që po punonin për nxjerrjen e trupave në pallatin ku ka pasur më shumë viktima, 14. Banesa do të shembet, pasi e kap projekti që parashikon njëtrajtësinë e të gjithë godinave.