Report TV ekskluzive - Mjeti e tërheq zvarrë dhe i merr jetën 57-vjeçarit në Elbasan (PAMJE TË RËNDA)

18 Shtator 2020, 17:37 | Përditesimi i fundit: 2020-09-18 17:43:16

ELBASAN -Pamjet ekskluzive të siguruara nga Report Tv të një aksidenti të ndodhur në qendër të Elbasanit mbrëmjen e 5 gushtit nxjerr në pah, se viti 2020 edhe pse shpallur si viti i sigurisë rrugore është ende larg këtij objektivi. Jo vetëm aksidente me pasoja e gjymtime të rënda, por aksidente me vdekje të cilat përgjakin rrugët dhe shoferw të papërgjegjshëm që pas aksidentit në vend të japin ndihmën e parë arratisen duke lënë të vdekurit në rrugë. Ndërsa kur ka kaluar një muaj nga ky aksident që do të ishte i denjë për tu konsideruar një vrasje me makinë në rrugë, shoferi ndodhet në arrati duke sfiduar policinë.Sapo ora shënon 22:16 minuta e 29 sekonda më 5 gusht 2020, në mes të bulevardit të Elbasanit përballë kalasë një person qëndron i ulur në mes të sheshit "Gensher".Krah tij kalon një mjet i cili me shpejtësi të ulët nuk e aksidenton, ndërsa ka pak lëvizje këmbësoresh pasi në ato momente sapo kishin mbaruar reshjet e shiut. Me një ndriçim të plotë të rrugës si dhe një ndriçim të plotë të mjetit, aty afrohet një automjet tjetër, drejtuesi i të cilit as e vë re se në mes të rrugës ishte një njëri duke e marrë përpara dhe largohet. Sipas policisë së Elbasanit tashmë shoferi është identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe rezulton se është një 20 vjeçar me incialet SH.B ndërsa viktimë e këtij aksidenti mbeti një 57 vjeçar. Hetimet paraprake kanë nxjerrë se 57 vjeçari ishte në gjendje të dehur dhe kish përfunduar në mes të rrugës duke u përpjekur të kalonte në anën tjetër. I ndjeri goditet nga autovetura e identifikuar më pas si BMW e marrë me qira nga një 20 vjeçar ndërsa aksidenti i ndodhur në sheshin Gensher, nuk është kuptuar edhe nga ata pak kalimtarë që nën çadër kanë vazhduar të kalojnë rrugën nga njëra anë në tjetrën. Pas aksidentit ka pasur të tjera mjete në bulevard të cilët s’kanë kuptuar fillimisht ç’ka ndodhur por kanë mundur të fiksojnë targën e BMW. I riu pasi ul pak shpejtësinë për disa sekonda, por vazhdon udhëtimin duke e braktisur më pas mjetin në një lagje perifike dhe u arratis për të shmangur arrestimin. Aktualisht policia e Elbasanit është duke kryer kontrolle për kapjen e 20 vjeçarit i cili siç mëson Report Tv i ka shpëtuar edhe një arrestimi.