Zgjimi pa ikur nata në 26 nëntor 2019 erdhi ndryshe, frikshëm, dhimbshëm dhe i dëmshëm për qindra e mijëra familje shqiptare. Toka u dridh nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, me thellësi 38 km, me epiqendër 22 km nga Durrësi dhe 30 km nga Tirana. Mjaftuan vetëm disa sekonda që të shuheshin 51 jetë, mbi 900 të plagosur, 17 mijë familje mbetën të pastreha e deri në 202 mijë e 291 persona u prekën në mënyrë direkte e indirekte në të gjithë vendin.Teksa dëmet vlerësoheshin ditë pas dite, me dhjetëra familje u strehuan nëpër çadra në mënyrë provizore për tu zhvendosur më pas në ambiente me qira, ku detyrimi mujor u mor përsipër nga qeveria. 11 bashki ndër më të prekurat Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kavaja, Kurbini dhe Lezha u kapluan nga gjendja e emergjencës së fatkeqësisë natyrore deri në mars të vitit 2021, ndërsa operacionet e kërkim shpëtimit në gërmadhat e banesave vijuan për më shumë se një javë, me shpresën se poshtë tyre do të kishte ende jetë. Përveç anës sociale, ishin me qindra pallate, banesa, biznese dhe institucione u dëmtuan. Në vlerë monetare të gjitha dëmet u vlerësuar nga ekspertët mbi 1 miliardë euro, dhe dëmet më të mëdha mbi 696 milionë euro ishin në strehim, ndjekur nga humbjet tek biznesi me 150 milionë euro dhe së treti turizmi me 90 milionë euro dëme. Buxheti i shtetit, shoqatat e bamirësisë dhe donator vendas dhe të huaj morën përsipër emergjencat e para, por sytë ishin nga Konferenca e Donatorëve e titulluar “Bashkë për Shqipërinë”. Kabineti qeveritar më 17 shkurt zbriti në Bruksel në konferencën e organizuar nga Komisioni Evropian për të prezantuar dëmet dhe për të kërkuar mbështetjen e tyre për të rindërtuar vendin, dhe pjesë e saj ishin mbi 100 shtete.