Report TV për herë të parë ndoqi nga afër për dy ditë rresht zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të cilat u zhvilluan në 14 shkurt.
Kamera e Report TV pasqyroi në çdo edicion lajmesh për të paktën 24 orë zhvillimet më të fundit nga disa zona të Kosovës përfshirë dhe veriun e me shumicë serbe.
791.288 qytetarë në Kosovë, iu drejtuan qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre për ndryshim në zgjedhjet e 14 shkurtit një pjesëmarrje e lartë krahasuar me zgjedhjet e tjera.
Kjo do të mbahet mend dhe si fushata elektorale më e shkurtër në historinë e vendit që zgjati vetëm 10 ditë. Gjithashtu këto zgjedhje u zhvilluan dhe në mes të pandemisë dhe një të ftohti të acartë që pushtoi Kosovën dhe Shqipërinë.
Pavarësisht temperaturave qytetarët e Kosovës ishin te vendosur që të kontribuonin me votë në këto zgjedhje. Të parët që iu drejtuan qëndrave të votimit, ishin liderët e partive politike.
“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë e ardhmja jonë. Sot kjo nevojë është edhe e drejtë e cila më tej paraqet mundësi dhe rast që duhet përdorur. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet si sigurim i sovranitetit. Fushatat zgjedhore kanë përfunduar. Sot vendos populli, ”tha Kurti.
“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe individual. Është një ditë e ftohtë por ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, ftesë e veçantë për të gjitha vajzat dhe gratë,” tha Osmani.
Votimet u mbajtën nën masa të shumta sigurie për të shmangur rritjen e shkallës së infektimeve nga COVID-19.