Report TV SPECIALE/ Jetët e shuara në 50 sekondat tragjike të 26 nëntorit...Histori njerëzore nën rrënoja

26 Nëntor 2020, 14:03 | Përditesimi i fundit: 2020-11-26 14:13:46

Teksa i afrohemi fundit të një 2020-te të vështirë, mëngjesi i hershëm i 26 nëntorit na rikthen te përjetimet e 50 sekondave të një viti më parë që ndryshuan rrënjësisht jetën e mijëra shqiptarëve.

Lajmi tragjik për një gjyshe të shuar nën rrënojat e palleteve të Thumanës shënoi vetëm pikënisjen e një kalvari të gjatë raportimesh  për jetë të humbura, të plagosura e mijëra familje të mbetura në qiell të hapur.

Vëmendja ishte e gjitha në Thumanë dhe Durrës, qw rënkonin nën rrënojat e dhjetra shtëpive e pallateve të shembura. Ende pa mbërritur forcat civile, zjarrëfikësit dhe grupet e shpëtimit, ishin banorët ata të cilët gërmuan të parët me thonj. Askush prej nesh nuk harron heroin e parë, Astrit Kolë Vlashi i cili nxori të gjallë 2 gra, një fëmijë dhe një burrë në Thumanë.

Por shpëtimi i këtyre personave do ishte ndër lajmet e pakta të mira që do vinte nga Thumana. Familja e parë që u shua ishte familja Greku. Burrë e grua, Pëllumb dhe Çelike u nxorën  të pajetë nga rrënojat, djali i tyre Saimiri ndërroi jetën në spital.

Bilanci nuk mund të ishte më shumë tragjik për familjen Cara, 7 jetë të humbura, mes tyre Almiri 26 vjec, që ndërroi jetë në krahët e të fejuarës së tij Stela, Erisa 25 vjece, vëllai i saj Hasani, 18 vjeç dhe Sadajana 21 vjece.

Fytyrën e Drita Cakonit e pamë për herë të parë në pashaportën e saj, të cilën e mbante në dorë daja që e kërkonte te Spitali i Traumës. 15 vjecarja nuk u nxorr e gjallë nga pallati i shkatërruar. Orëve të gjata nuk u mbijetoi as babai i saj, Kastriot Cakoni. Alesion 10-vjecar, e shpëtoi guximi dhe dëshira për jetën teksa u hodh nga dritarja e katit të pestë.