Report TV SPECIALE/ 'Udhëtimi' ndër vite i kartmonedhave shqiptare

26 Shtator 2019, 14:51

Për herë të parë një monedhë kombëtare në Shqipëri ka qarkulluar në vitin 1925, kohë kur u krijua për herë të parë Banka Kombëtare e Shqipërisë.

Në këtë periudhë në vend qarkullonin një mori monedhash dhe kartëmonedhash të vendeve të huaja, si edhe ato të mbetura nga koha e Perandorisë Osmane. Përveç tyre nga Pavarësia deri në 25 disa bashki kishin emetuar kartëmonedhat e tyre. Pas vitit 1925 janë hedhur në qarkullim edhe shumë seri të tjera kartëmonedhash, deri në vitin 1947 ku përcaktohet kartëmonedhë kombëtare Leku, i cili zëvendësoi përfundimisht frangun, dy vite pas krijimit të Bankës së Shtetit Shqiptar në vitin 1945. Për gjithë historikun e kartëmonedhave që kanë qarkulluar në Shqipëri, ka folur për Report TV Shpresa Lubonja, Përgjegjëse e Zyrës së Muzeut në Bankën e Shqipërisë.Intervistë/ Shpresa Lubonja, Përgjegjëse e Zyrës së Muzeut në Bankën e Shqipërisë.

Zonja Lubonja, si është emetuar dhe kur është emetuar kartëmonedha e parë dhe si ka evoluar i gjithë procesi?

Kartëmonedhat emetohet nga Bankat Qendrore, fillimisht nga Banka Kombëtare e Shqipërisë më pas Banka e Shtetit Shqiptar dhe sot Banka e Shqipërisë. Në vendin tonë nuk është se nuk kanë qarkulluar kartëmonedha. Për herë të parë në Korçë janë shtypur kartëmonedhat lokale, bëhet fjalë për kartëmonedhat franga të printuara në qytetin e Korçës në vitin 1917, në këtë periudhë Korça ishte krahinë autonome, për rrjedhojë edhe kartëmonedha reflekton statusin e një krahinës, “Shqipëri vetëqeveritare”. Më pas në fund të vitit 1917 është përsëri Korça që shtyp kartëmonedhën e saj, që ndryshon statusin në këtë periudhë, ajo nuk është më republikë vetëqeveriatare por në kartëmonedhë shkruhet vetëm republikë shqiptare dhe më pas kartëmonedhën e gjejmë vetëm me fjalën Korça, pasi në këtë periudhë nga armata e ushtrisë franceze abrogohet marrëveshja që kishim të dhjetorit të 1916 dhe në këtë periudhë Korça ishte vetëm një Bashki. Në emetimin e këtyre kartëmonedhave nuk kishim rolin e një banke qendrore, që të sigurojë mbulimin e tyre me zerva, por ishin të ardhurat e bashkive që mbulonin me rezerva paranë në qarkullim. Në vitin 1920 kemi një ligj që del nga Kongresi i Lushnjës, i cili i jep të drejtë bashkive të disa qyteteve që të shtypin kartëmonedhë.