Report TV SPECIALE/ 'Virus, shëndet dhe rindërtim', ekonomia e vitit 2020 nën ‘ethet’ e COVID-19

31 Dhjetor 2020, 15:41 | Përditesimi: 31 Dhjetor 2020, 15:41

TIRANË- Virus, shëndet, ekonomi dhe rindërtim, ishin fjalët kyçe që shoqëruan gjithë vitin 2020.

Kur pritej që ky vit t'i kushtohej plotësisht rindërtimit të vendit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia do të diktonte çdo vendim të Qeverisë. Vetëm pak ditë pas konferencës së donatorëve ku vendit ju premtuan 1.15 miliardë euro, nisën lëkundjet e para ekonomike.

Rastet e para me COVID-19 nxitën qeverinë në kundërpërgjigje me masa bllokuese për të frenuar përhapjen e tij. Qindra biznese u mbyllën, shumë qytetarë mbetën të papunë e me dhjetëra kredimarrës u vunë përballë vështirësive për të shlyer këstet.

Ndihma e parë ishte nga Banka e Shqipërisë. Guvernatori Gent Sejko dhe Kryeministri Edi Rama firmosën një urdhër të përbashkët për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për biznese dhe individë, të cilët do të hasin vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19. Vendim ky që mbështeti shumë sipërmarrje dhe individë, e që zgjati deri në 31 gusht të 2020.

“Nga kjo lëvizje u vendos në moratorium mbi 40% e portofolit të kredisë bankare, duke lehtësuar barrën financiare mbi bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme. Gjithashtu, nga ristrukturimi i kredisë kanë përfituar mbi 25 mijë klientë bankarë, duke rritur qëndrueshmërinë e plan-bizneseve të tyre afatgjata”, u shpreh Sejko më 16 dhjetor 2020 në mbyllje të konferencës së fundit për vitin 2020.

Pas 10 ditësh u miratua paketa e parë me fokus punonjësit. Me 27 mars 2020 u vendos që të rishikohej për herë të parë buxheti i shtetit ku përcaktuan 12 miliardë lekë për përballimin e pasojave emergjente. Nga ky rishikimin 6.5 miliardë lekë u vendos që do të përdoreshin për 3 pagat e luftës nga 26 mijë lekë për ata që dolën të papunë si pasojë e mbylljes së bizneseve me vendim të qeverisë, ku u përfshin kryesisht të punësuarit e biznesit të vogël.

“Janë duke shkuar afro çerek milionë qytetar që kanë marrë pagat e luftës”, tha Rama.

b.ha./Shqiptarja.com