Speciale - Viti 2018, kultura në rikonstruksion

31 Dhjetor 2018, 19:13 | Përditesimi i fundit: 2018-12-31 19:14:27

2018-ta, Viti i Skënderbeut

2018- ta, një vit i trazuar për artin dhe kulturën, ku debati mbizotëroi mbi ngjarjet, duke lënë shumë çështje të pazgjidhura dhe pyetje pa përgjigje. Nuk munguan as aktivitetet që lënë gjurmë pozitive në terrenin e artit dhe historisë, si Ekspozita për Skënderbeun me vepra e antikuarë të rrallë ne Pallatin e Kongreseve. Është konsideruar nga artistët, si ekspozita më serioze e realizuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, dhe qenë imazhet, librat historikë e shkruar në Milano që prej 1473-tës, epistola e Papa Piut apo Historia e shkruar nga Marin Barleti në vitet 1508-‘10 dhe materiale të tjera të fjetura në arkivat tona, që zgjuan kërshërinë e publikut, artistëve dhe historianëve.

Teatri /Artistët debate me Kumbaron

Artistët në krye të vitit 2018 fillimisht u bën bashkë për të kundërshtuar ligjin “Për artin edhe kulturën”, miratuar në vitin 2010, ndryshuar në vitin 2014. Aty pikat që kundërshtuan ishin: Së pari, fakti që drejtorët e institucioneve kombëtare, që sot emërohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, mes dy kandidaturave të propozuara nga Ministri, do të emërohen me Urdhër të Ministres, Mirela Kumbaro, ku përfshihen Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Biblioteka Kombëtare. Por, edhe përse ministrja e kulturës u tërhoq nga ky projektligj, “lufta e artistëve” kundër Qeverisë vazhdoi ende. Motivi do të ishte shembja e teatrit për të ndërtuar në të njëjtin territor një godinë të re. Vendimi verbal i komunikuar nga kryeministri duke thënë: “Doni apo s’doni ju teatri do të shembet”. Kjo i irritoi edhe më shumë artistët.