Vijon 'lufta' me zjarrin në pyjet e Nikolicës në Devoll

30 Tetor 2019, 14:18 | Përditesimi i fundit: 2019-10-30 14:18:15

Prej tre ditësh pyjet e fshatit Nikolicë në Devoll vijojnë të shkrumbohen nga zjarri. Edhe ditën e sotme në zonat e thella malore të këtij fshati janë parë aktive disa vatra zjarri që po përhapen me shpejtësi të ndihmuara e dhe nga era. Pavarësisht se janë vënë në dijeni, forcat zjarrfikëse e kanë patur të pamundur shuarjen e flakëve për shkak të terrenit të vështirë.

Gazetarja e Report Tv, Gladiola Hoxha bën të ditur se dy vatra zjarri që janë riaktivizuar janë mundur të vihen nën kontroll nga vullnetarë të ndryshëm që janë në terren.Ndërkohë i pyetur nga Report Tv, kryetari i Bashkisë, Eduart Duro ka deklaruar se punëtorët po punojnë në terren për shuarjen e flakëve, por megjithatë rreziku është shumë i madh. Ai ka shtuar se e vetmja mënyrë që kjo situatë të marrë fund janë reshjet e shiut. Fatmirësisht për këtë zonë, sipas sipnotikantëve priten reshje shiu në ditët e në vijim.