Report TV zbardh përplasjet e brendshme me Vuçiç në Samit, pse bojkotoi Thaçi dy herë Metën

9 Maj 2019, 18:35

Edhe pse mikpritësi Ilir Meta tha se tonet e pjesës së mbyllur të Samitit të Brno Brijunit kishin qenë pozitive dhe konstruktive, Report TV ka mësuar se panorama ka qenë ndryshe brenda tryezës së liderëve të Ballkanit.

Së pari ka ngjallur reagime nga ana e Kosovës, prania në tryezë e presidentin serb të Bosnjës Milorad Dodik.

Gjatë fjalës së tij në Samit, presidenti Kosovar mësohet të ketë thënë se: “Vendet që na sugjerojnë krijimin e asociacioneve serbe brenda në Kosovë, duhet ta harrojnë këtë skenar. Një Republika Serbska e dytë nuk do të krijohet në vendin tim”.

Kjo ka bërë që të ndërhyrë lideri serb i Bosnjës, duke i kërkuar llogari Thaçit se “pse e konsideronte të tmerrshme Republikën Serbska”.

Thaçi i është përgjigjur se : “Ky skenar duhet të përjashtohet për Kosovën, pasi të gjithë e dinë se si u krijua Republika Serbska”.

Fjalën e ka marrë dhe Presidenti i Serbisë Vucic, i cili ju ka dërguar një mesazh nën zë kroatëve dhe sllovenëve, të pranishëm në tryezë.

“Serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan. Këto dy popuj kanë një konflikt mes njëri-tjetrit i cili duhet se është shumë vite larg zgjidhjes, dhe në këtë aspekt, unë jam shumë skeptik për të ardhmen evropiane të këtij rajoni”.

Por teksa marrëdhënia mes politikanëve kosovarë e atyre serbë nuk surprizën njeri, ky samit nuk ka shënuar ditët më të mira të marrëdhënieve mes Presidentit Shqiptar dhe atij kosovar.

Hashim Thaçi ka pasqyruar në rrjetet sociale të gjitha takimet në Tiranë, por jo atë me Ilir Metën. Edhe pse një takim i tillë u mbajt të mërkurën në darkë, burimet diplomatike i thanë Report TV se takimi ishte shumë i shkurtër dhe i ftohtë.

Po ashtu, Thaçi refuzoi të shkonte në darkën e mirëseardhjes që Ilir Meta shtroi për liderët të mërkurën në darkë në Pallatin e Kongreseve.

Madje as këtë të enjte, Thaçi nuk shkoi në drekën e liderëve sipas axhendës së Metës, dhe preferoi që të drekonte diku tjetër në kryeqytet me stafin e tij.