Report Tv zbardh protokollin që përdoret nga mjekët e familjes! Labaj: Është përditësuar në tetor!

6 Nëntor 2020, 19:23

TIRANË- Me rritjen e rasteve të reja me COVID-19, mjekët e familjes po përballen me një fluks të pacientëve me koronavirus. Mjekja e familjes, Entela Labaj në Qendrën Shëndetësore nr.4, thotë se protokolli ku ata bazohen për trajtimin e pacientëve me COVID është hartuar që në prill të 2020, dhe është përditësuar dhe në muajin tetor.

“Protokolli ka ardhur në prill të 2020-ës, ky protokoll është bërë informativ, procedurial dhe terapeutik duke u bazuar në shenjat klinike, në ecurinë e laboratorit dhe në bazë të gjendjes që na është paraqitur dhe u përditësua përsëri në tetor të vitit 2020 gjithmonë duke u nisur nga shenjat klinike dhe ecuria e sëmundjes”-u shpreh mjekja.

Mjekët e familjes trajtojnë pacientët që janë në fazë të lehtë dhe të mesme.

“Ne e fillojmë me një vitaminoterapi. Në rastet që do të paraqiten me një temperaturë subfebrile që kalon deri në 37 e gjysëm atëhere ne ju keshillojmë dhe paracetamolin ose dhe ibuprofenët, nëse sëmundja përparon kur shfaqën dhe shenjat pulmonare të mushkërive sic është kolla, në të tilla raste duke bërë ekzaminimet, një gjak komplet, bëjmë një radiografi ose radioskopi dhe në fund fare nëse gjendja është akoma më e përkeqësuar arrijmë në skaner. Në fazën nëse janë prekur mushkëritë atëhere në të tilla raste ne fillojmë antibiotikun”- tha mjekja Entela Labaj.

Periudha e rikuperimit nga virusi mund të zgjasë  14 ditë, por dhe më shumë në varësi të gjendjes shëndetësorë të pacientit. Në vendin tonë janë 10.482 persona aktiv me COVID-19, 346 ndodhen të shtruar në tre spitalet COVID, ndërsa pjesa tjetër ndiqen nga mjeku i familjes.