Report Tv zbulon dosjen/ Xhami i makinës 'Toyota' që lanë në vendin e krimit fundosi autorët në Durrës

2 Maj 2020, 11:29 | Përditesimi i fundit: 2020-05-02 14:38:50

REPORT TV ka zbardhur kërkesën me provat e prokurorisë që u depozitua sot në gjykatë për arrestimin e dy të rinjve për katër vrasjet në Durrës. Prokuroria deklaron se ka të dhëna të shumta që provojnë se autorë të vrasjes së dy vëllezërve janë Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Sipas prokurorisë në vendin e ngjarjes janë gjetur 55 gëzhoja, që ekzekutuan dy vëllezërit. Por si u zbuluan autorët?

Përpos bashkëpunimit të 22-vjeçarit Alla, që tregoi më pas gjithçka, prokuroria tregon si arriti te identifikonte autorët. Detaji që ka fundosur autorët ka qenë xhami i makinës tip 'Toyota' që përdorën autorët për vrasjen.

Sipas policisë, pasi i kanë ndjekur dhe i kanë parakaluar duke i ekzekutuar me breshëri dy vëllezërit Haxhia, nga kontrolli i vendit të ngjarjes u gjet një pjesë xhami e thyer e makinës tip 'Toyota' me xhama të zinj të autorëve, që u fiksua më pas edhe nga kamerat e sigurisë së një subjekti duke çuar në gjetjen e automjetit. 

"Në vendin e ngjarjes ka rezultuar se disa metra para mjetit të viktimave mbi asfalt janë gjetur xhama me ngjyrë të errët të thyera dhe nga këqyrja e njërës pjesë të xhamit janë shkronjat 'TOYO...". Pra që ngrenë dyshimin se këto pjesë xhami me ngjyrë janë lënë nga mjeti i autorëve që mund të jetë i mjetit "Toyota".

Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se rreth orës 16:35 në kamerat filmike në rrugë largohen në drejtim të mbikalimit te Nishtulla në Shkozet një atomjet me ngjyrë të zezë që dyshohet në përdorim nga autorët" thuhet në dosje.