Reshje bore dhe shiu gjatë natës, ARRSH: Drejtuesit e mjeteve të jenë të kujdesshëm

8 Mars 2020, 14:30

Gjatë natës ka patur reshje bore dhe reshje me intensitet të lartë shiu në veri dhe jug të vendit. 

Reshje bore ka pasur në Qafë Mali-Fierzë, Bajram Curri-Valbonë, pjesët fundore të akseve U. Cerenecit- Steblevë, dhe Kuben-Vasije.

Sipas ARRSH-së, qarkullimi vazhdon normalisht, pa zinxhirë, në të gjithë rajonin e veriut.

Në segmentin Fushë Studë-Steblevë ka rreth 5-7cm dëborë, por nuk ka probleme me qarkullimin.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie gurësh dhe rënie dherash në disa akse rrugore.

Berat-Çorovodë, që ka sjellë vështirësi në qarkullim për disa minuta, aktualisht rruga është pastruar dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm pasi mund të ketë përsëri rënie gurësh për shkak të reshjeve.

Në km e 12-të të aksit Maliq-Lozhanë pati rënie të një masivi dherash dhe pemësh, të cilën kontraktorët e mirëmbajtjes e pastruan dhe tani qarkullimi vazhdon normalisht.

Në aksin Çorovodë-Hambull pati rënie gurësh, u pastruan nga kontraktori dhe qarkullimi vazhdon normalisht.

Në akin Këlcyrë-Përmet pati dalje të disa përenjve anësorë duke sjellë në rrugë dhera dhe gurë, aksi u pastrua nga kontraktori, qarkullimi vazhdon normalisht.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm për shkak të lagështisë në rrugë, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.