Reshje masive/ Lezha nën ujë, në Shkodër zbarkon ushtria! Përmbytje edhe në Vlorë e Fushë-Krujë!

8 Janar 2021, 16:01

Prej ditësh moti i keq ka përfshirë Shqipërinë ku ka sjellë problematika në shumë qytete. Këtë të premte, shumë prej qyteteve kanë shfaqur problematika me përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut dhe të dëborës. Situata më e vështirë paraqitet në qytetin e Lezhës ku janë përmbytur 2 lagje, ’11 janari’ dhe ‘Besëlidhja’. Gjithashtu lumi Drin ka dalë nga shtrati në disa zona të saj duke përmbytur sipërfaqe të mëdha me toka bujqësore.

Përmbytje të mëdha kanë përfshirë dhe qytetin e Vlorës ku lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur pazarin e Mifolit. Në Shkodër gjendja paraqitet e vështirë ku është përmbytur rruga e Obotit. Hidrometri në lumin Buna tregon rritjen e nivelit në 5.80 cm. Rruga e Obotit është e pakalueshme për shkak të lartësisë së ujit 60 cm.

Mësohet se shkak i përmbytjeve në Obot të Shkodrës janë shkarkimet me 300 m3/s nga HEC-i i Vaut të Dejës. Forcat e Ushtrisë kanë zbarkuar në Shkodër për të bërë të mundur normalizimin e situatës e për tu ardhur në ndihmë qytetarëve. Gjithashtu ka filluar dhe shkarkimi nga HEC-i i Shkopetit dhe Ulzës. Përmbytje të shumta janë regjistruar dhe në zonën e Fushë-Krujës ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa prej fshatrave përreth. Janë rreth 20 banesa të rrethuara nga uji në lagjen fundore të këtij fshati dhe në disa prej tyre uji ka hyrë brenda. Uji që ndodhet nëpër ara është kryesisht uji i shiut pasi kanalet nuk kanë ku të kullojnë.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar dhe disa problematika në qytete të tjera. Në akset rrugore në Elbasan, Kukës e Lezhë ka pasur rrëshkitje dheu por rrugët u pastruan nga autoritetet shqiptare dhe aktualisht janë të qarkullueshme. Pamje të frikshme ofron rruga e Borshit pasi si pasojë e motit të keq, është çarë në dysh. Ajo ishte rikonstruktuar pranverën e kaluar.