Restaurimi i Kishës së Shën Premtes, Dom Nikë Ukgjini: Afresku i ngjashëm me ‘Darkën e fundit’

19 Nëntor 2019, 10:52

Kisha e Shën Premtes në Balldren të Lezhës është shndërruar në një oazë shpirtëror dhe kulturor për këdo që ka dëshirë ta vizitojë. Dom Nikë Ukëgjini, i cili prej disa muajsh ka drejtuar restaurimet, e bëra nga specialistët në këtë kishë, rrëfen për kamerën e “ReportTV” zbulimet edhe gjurmët e afreskeve, që janë gjendur në këtë kishë të shekullit XII, siç është edhe ngjashmëria e një prej afreskeve që gjenden në kishën e shekullit XII, me “Darkën e fundit” të Leonardo Da Vinçit. Kisha në formë harkore dhe e zbukuruar me disa afreske të vjetra, nga përshkrimet e studiuesve dikur ka pasur edhe kambanoren me kambanë. Por, famullitari na tregon se tërmeti dhe luftërat e herëpashershme e kanë dëmtuar.

Në vitin 1981 objekti do të shpallej Monument Kulture për vlerat arkitekturore, por pa e ditur pasurinë qindravjeçare me vlera jo vetëm shqiptare, por dhe ballkanike, që fshihet në të. Dom Nikë Ukgjini na shpjegon se Kisha e Balldrenit është vazhdimësi e Kishës nder-arbërore e themeluar, nga apostulli Shën Pali në vitin ‘58 në Durrës.Kushdo që do ta vizitojë Kishën e Shën Premtes në Balldren të Lezhës, do të ketë mundësi, që përveçse pjesës muzeale edhe afreskeve, të njihet edhe me gurin kushtimor për familjen Perlati të trungut dukagjinas, që përkon me vitin 1462, që është vendosur në pjesën e jashtme të absidës së kësaj Kishe me mbishkrim latin: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o ZOT shërbëtorët e t’u, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”.