Riatdhesimet/ Hajdari: Pse i çoni në hotel dhe nuk u bëni tamponin? Balluku: Aty i ruajmë me ushtri

23 Prill 2020, 14:20 | Përditesimi i fundit: 2020-04-23 14:22:02

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate sa i takon vendimeve të mara nga qeveria për të përballuar situatën e emergjencës së krijuar në vend. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari ka kërkuar shpjegime se përse shtetasve që riatdhesohen nuk iu bëhet tamponi por futen në hotele dhe krijojnë rrezik për krijimin e një vatre të re infektimi.

“Për riatdhesimin, më falni zonja balluku dua një shpjegim cila është arsyeja që sot ata që riatdhesohen futen nëpër hotele pa asnjë lloj mase? Ku e dini ju që ata persona nuk mund të krijojnë një vatër tjetër duke qenë  pa asnjë lloj mase në ato hotele. Ata janë duke u futur në një dhomë. Pse nuk testohen individ pas individi dhe ata që janë të infektuar të karantinohen dhe të tjerët të shkojnë në shtëpi”, pyet Hajdari.

Kësaj pikëpyetje i është përgjigjur ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e cila tha se është e pamundur të kontrollohen qytetarët nëpër shtëpi, ndërsa në hotelet e kthyera në karantinë ata ruhen nga ushtria dhe policia vëzhgon kamerat e sigurisë.