Rifillimi i kuvendit, PS mbledh Kryesinë

3 Shtator 2018, 10:54

TIRANE-Siç ishte lajmëruar edhe më herët, sot në orën 09:00,  nisi mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar në Pallatin e Kongreseve. Në orën 10:00 është parashikuar mbledhje edhe nga grupi parlamentar i PD-së bashkë me aleatët dhe LSI.

“Shqiptarja.com” ka siguruar disa foto pak para nisjes së mbledhjes së PS-së. Të parët që kanë mbërritur në ambientet e Pallatit të Kongreseve janë Valentina Leskaj dhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se në mbledhjen e sotme të kryesisë së PS-së u diskutua lidhur me sesionin e ri parlamentar dhe qëndrimin që do të mbajë Partia Socialiste. Në mbledhje u miratua data 7 shtator për hapjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Kryesia e PS-së vendosi hapjen e fushatës së pranimeve të reja në PS. Socialistët janë mobilizuar tashmë për fushatë. 

Në Asamblenë Kombëtare, përveç fjalës së Ramës do të lexohet raporti i turit të llogaridhënies, si edhe raporti mbi performancën e kryetarëve të bashkive dhe këshilltarëve. Në Asamblenë e PS pritet të merret vendimi për të ndryshuar anëtarët e kryesisë së PS-së që vijnë nga sekretariati, duke ristrukturuar kështu sekretariatin.