Rihapet pas 22 vitesh procesi ‘Hajdari’/ Pranohet thirrja si dëshmitar e ish- truprojës së tij

6 Nëntor 2020, 19:00

TIRANË-  Pas 22 viteve vrasja e deputetit Azem Hajdari do të rigjykohet nga e para në dhomën penale në Tiranë. Shkak është bërë kërkesa e Izet Haxhisë për rigjykim, ndërsa pyetja si dëshmitarë e ish presidentit Sali Berisha as u pranua dhe as u refuzua nga gjykata. Sipas gjyqtarëve për Berishën do të vendoset në një moment tjetër, pasi më parë do të dëgjohet dëshmia e Zenel Nezajt të mbijetuarit të vetëm të atentatit të ndodhur më 12 shtator 1998.

Lista e dëshmitarëve që do të pyeten është më e madhe se ajo e atyre që u refuzuan nga gjykata. Për herë të parë u pranua si provë edhe pamja filmike ku Zenel Nezaj i mbijetuari atij atentati vizitohet dhe bisedon me ish-presidentit Sali Berisha në spitalin e Traumës.

Veç pamjeve gjykata dha "ok" për të pyetur për herë të parë edhe Nezajn, duke i dërguar flet thirrje si në adresën në Tiranë ashtu edhe në atë që mban në shtetin belg ku ka fituar statusin e azilantit politik.

U refuzua marrja si dëshmitarë e shtetasve  Marjam Gryka, Aishe, Zylfie e Muharrem Haklaj të mbijetuarit e familjes Haklaj. Ndërsa sipas versionit të pranuar nga gjykimi i këtij procesi ka qenë Fatmir Haklaj që ka qëlluar mbi Azem Hajdarin në bashkëpunim me Jaho Mulosmanin e Izet Haxhinë më 12 shtator 1998.

Gjykata nuk pranoi të pyes si dëshmitarë as Fatos Klosin, Përparim Hykaj, Kujtim Hyzon, me argumentin se ata nuk janë dëshmitarë okular. Me debate u shoqërua vendimmarrja e gjykatës në lidhje me dëshminë e Jaho Mulosmanit, të dënuarit me burg përjetë për vrasjen e Hajdarit.

Avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri kërkoi ballafaqimin e Izetit me Mulosmanin, por gjykata e refuzoi duke thënë se s’mund të pyetet një i dënuar me vendim të formës së prerë, por do të administrohen thëniet e tij në fazën kur ishte i pandehur. Listën e dëshmitarëve të pranuar e kryeson Shpresa Breçani, Fisnik Sina, Sali Lusha, Agim Logu, Mentor Daja, Ismet Jovani, Muftar Lumneshi, Dem Dollapi, Genc Hoti, punonjësi i SHIK që njoftoi Berishën sipas avokatit Beqiri, si dhe Marjana Popoviç pasi Hajdari ka përdorur telefonin në emër të saj.