Rikonstruktohen godinat 9 dhe 10 në Qytetin Studenti, përfitojnë 600 studentë

10 Korrik 2019, 16:25 | Përditesimi: 10 Korrik 2019, 16:25

Dy nga godinat më të mëdha rezidenciale të “Qytetit Studenti”, ku jetojnë dhe studiojnë rreth 600 vajza, kanë marrë një pamje të re pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës. Godinat 9 dhe 10 ofrojnë kushte shumë më të mira për studentët, duke përmbushur në këtë mënyrë edhe një tjetër pikë të Paktit për Universitetin.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e kryera në këto dy godina, ku vlerësoi ndryshimin e pësuar këto muaj. “Jam shumë entuziast kur shikoj se si shumë nga kantieret që filluam në “Qytetin Studenti” po mbyllen. Konvikti 9 dhe 10 ka 200 dhoma, më i madh se hoteli më i madh në Tiranë. Të bësh një rikonstruksion hoteli merr 1 apo 2 vjet, por ta bësh në 1 apo 2 muaj është realisht një arritje e jashtëzakonshme. Dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuan. Skepticizmi i ditëve të para, kur kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhanë premtimin se do bëheshin brenda verës, tani është shuar sepse gjithsecili mjafton të bëjë një xhiro dhe të zbulojë se si është mbajtur fjala në çdo pikë të kontratës për Paktin me Universitetin”, tha Veliaj.

Ai siguroi se puna do të vijojë edhe me tre godinat e fundit që kanë mbetur. Veliaj nënvizoi se pavarësisht se ka edhe një grup të vogël politikanësh që proteston për hallet e tyre, qytetarët e kanë të qartë dallimin se kush janë ata që përkujdesen dhe tregojnë vëmendjen e duhur ndaj qytetarëve.

r.k./Shqiptarja.com