Rikonstruktohet Muzeu ABC në Korçë, Rama: Emblema e historisë së arsimit shqip

16 Shtator 2019, 19:00

Emblema e historisë së arsimit shqip, Mësonjëtorja e famshme, apo siç quhet sot Muzeu ABC në Korçë, po i nënshtrohet rikonstruksionit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale ku shkruan:  “Kishte ardhur koha që ky objekt-dëshmi i arsimdashjes dhe kurajës mëmëdhetare, të shërohej nga plagët e kohës dhe rikthehej në formën e shkëlqimin që i takon. Mure, çati, dyer e dritare të amortizuara nga koha, rrjeti i vjetër elektrik, sistemi i ngrohjes dhe mbrojtjes nga zjarri, do të jenë të tëra në standarde optimale në mbyllje të këtij viti”.

Me një fond prej 30 milionë lekësh do të ndërhyhet për rikonstruksionin e ndërtesës, e cila ka pësuar çarje të mureve, për shkak të lëkundjeve të fundit sizmike në Korçe.

“Muzeu “ABC”, është një institucion i rëndësishëm jo vetëm për Korçën, por për gjithë historinë e arsimit shqip. Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë ndodhet në ndërtesën e shkollës së parë shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri. Kjo shkollë u hap më 7 Mars 1887, me leje nga Perandoria Osmane. Ndërtesa ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamant Terpo i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe.