Rikthehen radhët në kufi me Greqinë! Plotësohet kuota në Kapshticë! Qytetarët paralajmërojnë grevë

29 Gusht 2020, 12:20 | Përditesimi i fundit: 2020-08-29 15:43:49

Vijon kalvari i pritjes për qytetarët shqiptarë në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas rregullave të vendosura nga shteti grek, qytetarët kanë bërë aplikimin dhe pasi kanë marrë konfirmimin janë nisur drejt doganës. Por, aty janë ndeshur me radhë të gjata dhe pasi është plotësuar numri 300 i personave që lejohet të kalojnë doganën, qytetarët e tjerë kanë mbetur në pritje.

Ata duhet të presin deri ditën e nesërme për të kaluar kufirin grek. Midis tyre ka persona të moshuar, të sëmurë, por edhe fëmijë të cilët qëndrojnë në pritje.

Qytetarëve iu skadon afati 72 orësh i testit të Covid 19 dhe ata duhet të kthehen që ta bëjnë sërish. E gjithë ky proces është një kosto e shtuar për qytetarët shqiptarë.

"Jemi që nga ora 9:00 në mëngjes ne na thanë që grekët punojnë, por tani nuk kalojmë dot. Lekë nuk kemi më për të bërë tamponin. I lutemi qeverisë që të bisedojë me shtetin grek. Duhet që firma ta sqarojë. Kemi bërë aplikimin, kemi marrë OK, jam në rregull me gjithë aplikimin dhe vij këtu e nuk kaloj dot. Të hënën duhet të jemi patjetër në punë. Këtu do të rrimë e sëmurë jam, do rri duhet të kalojmë. I lutemi shtetit se ne duhet të kalojmë. Ne jemi dhe shqiptare dhe grekë. Taksa paguajmë andej taksa paguajmë këtej. Kjo nuk është normale", thotë qytetarja.

Njëra nga qytetaret ka paralajmëruar se nëse nuk lejohen që të kalojnë as nesër nga shteti grek, do të fillojnë një grevë në doganën e Kapshticës.

"Paratë u mbaruan fare, se bëmë tamponin, bëmë pasaportat, vuajtëm shumë dhe për pasaportat se i paguajtëm dyfish. Ne kemi marrë Ok dhe s'po ikim dot. Po bëjmë 4-5 orë që po presim. Do rrimë deri në mëngjes që të kalojmë, ose do të bëjmë grevë. Duhet të ndërhyjë shteti shqiptar. Ne jetojmë andej, të na zihen vendet e punës është gjynah nuk bëhet kështu", shprehet qytetarja.