Rikthehet sherri në stadium. Ja si nisi përplasja mes Ngo dhe presidentit të Laçit

30 Mars 2019, 22:42

Sot, Tirana luajti kundër Laçit, ndeshje që përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Përgjatë gjithë sfidës, por edhe në dhomat e zhveshjes ka qenë i pranishëm tensioni. 

Madje në një moment në ambientet e brendshme të “Selman Stërmasit”, ka pasur një sherr mes lojtarëve që ka konsistuar në përleshje fizike.  Pamjet filmike tregojnë momentin kur dy skuadrat hynin në ambientet e brendshme të impiantit.  

Aty dallohet presidenti i laçit, Pashk Laska që komunikon me lojtarët e Tiranës, ndërsa më pas shfaqet Ngo. Ky i fundit reagon ndaj fjalëve të numrit 1 të kurbinasve dhe tenton ta godasë, i ndalur nga shokët e skuadrës dhe punonjësit e sigurisë.

Laska mundohet të kundërpërgjigjet, por ndërkohë vjen me shpejtësi djali i tij, Kleo, i cili godet Ngo, para se të ndalet nga forcat e sigurisë në ambientet e brendshme dhe dy skuadrat të cilat mundohen të qetësojnë ambientin në këtë ngjarje të turpshme.