Rikthehet Superliga me supersfidën Skënderbeu-Partizani, Shehi dhe Gega duan 3 pikët

24 Janar 2019, 14:52

Të premten nis gjysma e dytë e Superligës me supersfidën Skënderbeu-Partizani. Një 90 minutësh shumë i rëndësishëm sidomos për korçarët që gjenden 7 pikë pas kryeqytetasve kryesues. Në prag të takimit trajner i Skëndërbeut Orges Shehi ka deklaruar:

“Të flas për rëndësinë e kësaj ndeshjeje është e kotë pasi dihet çfarë do të thotë kur luhet përballë Partizanit. Kjo për disa arsye. E para kemi përballë një kundërshtar direkt. Tjetra është se vijmë pas disa rezultateve jo të mira.”

Ndërkohë te Partizani ky takim mund të shërbejë si hakmarrje pasi në dy sfidat e para fitmitar kanë dalë korçarët. Gjithsesi, Skënderbeu nuk tremb më aq shumë dhe kjo duket në deklaratat e trajnerit Gega.

“E vlersojmë Skënderbeun dhe e njohim mirë dhe pse nuk është ekipi që ka qenë më parë. Futbolli kështu funksionon. Jemi të përqëndruar te vetja.”

Përkrah trajnerit Gega në konferencë për shtyp ishte mbrojtësi Lum Rexhepi, i afruar këtë merkato te Partizani. Në prononcimin e tij të parë qendërmbrojtësi i ardhur nga Finlanda u shpreh:

“E di që ka traditë dhe histori të gjatë kështu që kur dëgjova se Partizani interesohet për mua u interesova edhe unë. E shoh si një klub që do më ndihmojë të bëj një hap cilësor në karrierën timë.”

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Partizanit do të luhet të premten në orën 18:00 në Korçë.