Rikthimi i Igli Carës, i shtati në Durrës: Koalicion paszgjedhor me LSI? PD do të fitojë e vetme

23 Prill 2021, 10:19

Igli Cara për disa vjet ka qenë edhe kryetar i PD dega Durrës dhe ka drejtuar disa fushata në Qarkun e Durrësit. Ai është vendosur i shtati në listën e këtyre zgjedhjeve, çka do të thotë se pritshmëria për të grumbulluar vota prej tij është e madhe. Në një intervistë për Report Tv, Cara thotë se ftesa që ju bë për të kandiduar nuk ka qenë si nevojë e PD por se gjërat po shkojnë në vendin e vet.

Për Carën kjo është një fushatë ndryshe nga të kaluarat pasi nuk lejon grumbullimet masive por ama të kushtëzon të trokasësh në dyert e banorëve të zonës e të njihesh me hallet e tyre e më pas ti kërkosh votën. Ai thotë se situata ekonomike në Durrës është rënduar. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur e po kështu edhe të ujit. Sipas tij kostot janë rritur me 7 mijë lekë në muaj për çdo qytetar në një kohë që pensionet kanë qëndruar në vend dhe nuk janë rritur as aq sa për të përballuar inflacionin. Igli Cara mendon se PD do ti fitojë zgjedhjet në mënyrë plebishitare njëlloj si në vitin 2005. Ai nuk preferon të analizojë listën kandidatëve për deputetë të PS por thotë se kundërshtari i tyre për tu mundur është Edi Rama. Cara sqaron se në bazë të sistemit është i lirë të kërkojë vota në të gjithë qarkun dhe jo vetëm në një zonë të caktuar sikurse janë lagjet 15,16 dhe 18 ku formalisht është caktuar. Lidhur me mundësinë e një koalicioni paszgjedhur PD me LSI ai thotë se ka besim se PD do ja dali e vetme të fitojë por nëse rezultati do ta imponojë diçka të tillë nuk do të jetë kundër vendimit të partisë. Për të, PS nuk po bën një lojë të pastër. Po shfrytëzon hallet e njerëzve për ti mbaruar punë kë këmbim të votave. Deklaratat e Ramës se nëse PS nuk i fiton zgjedhjet, procesi i vaksinimit dhe puna për rindërtimin pas tërmetit flasin për një lojë jo të pastër nga PS. E megjithatë thotë ai PD do të fitojë me 25 prill.