Rikthimi i masave të izolimit në Serbi, dhunë dhe të plagosur në Beograd

8 Korrik 2020, 13:44

Trembëdhjetë policë dhe shtatë civilë u plagosën gjatë trazirave të së martës mbrëma në Beograd, për shkak të paralajmërimeve për rikthimin e masave të izolimit dhe bllokimit për një afat dy javorë.

Autoritetet kanë raportuar se të gjithë të plagosurit u transportuan në Akademinë Mjekësore Ushtarake.

Përleshjet shpërthyen pasi një grup protestuesish u përpoq të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, duke bërë që policia të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Turma pranë hapësirës së kuvendit u shpërnda rreth orës 1:30 pas mesnate.

“Gjendja është alarmante”, tha Vuçiç, duke shtuar se spitalet janë të mbingarkuara me pacientë. Ai gjithashtu theksoi se duke filluar nga data 8 korrik, në Beograd do të ndalohet çdo tubim publik me më shumë se 5 persona.