Rimëkëmbja ekonomike/ Civici për Report Tv: Të mbështetet prodhimi! Goditemi dhe nga varësia që kemi me Italinë dhe Greqinë

3 Tetor 2020, 16:27

TIRANË- Rënia ekonomike në nivelin e 10.2% sipas ekspertëve ishte pritshme duke marrë shkas edhe nga problemet strukturore që ka vendi. Eksperti i Ekonomisë Adrian Civici shpjegon për Report TV ndikimin që ka kjo ecuri negative për qytetarët.

Nëse një ekonomi ka një tregues për një gjashtëmujor apo 3-mujor -10% do të thotë që në tërësinë e saj është 10% më pak vlerë e re e krijuar, 10% më pak aktivitet ekonomik, dhe këtu nënkuptojmë që pagat në nivel më të ulë, konsum më pak, investime më pak apo tregti më pak”, thotë Civici.

Por pyetja që ngrihet pas një rënie të tillë, është a do të mundet vendi të ketë rikuperim të hovshëm në vitin e ardhshëm?

“Unë mendoj që ne do të kemi një periudhë më të gjatë staniacioni dhe rritje të ulët deri sa të stabilizohet situata dhe unë e shikoj më të mundur që vendi të hyjë në një rrjedhë normale nëse pandemia COVID-19 nuk do të ketë një valë të dytë, nëse mbyllja nuk ndodh besoj se për një periudhë 1-2 vjeçare ekonomia shqiptare të paktën do të stabilizohet dhe do të kthehet në ato ritmet e rritjes normale midis 3.5 dhe 5.5% që ka pasur në dy tre vitet e fundit”, pohon për Report TV Adrian Civici.

Të gjendur në një vit elektoral, dhe me sfidën e rimëkëmbjes përpara, Civicit thotë se duhet të shmangen ndryshmet fiskale, në taksa.

“Bëjmë pjesë në grupin e atyre vendeve që kanë ndryshimet më të mëdha në sistemin fiskal, duke bërë që të mos kemi një sistem stabël gjë që ndikon negativisht në planet e biznesit, të bankave për dhënie kredie apo edhe tek tërheqja e investimeve. Në kudër edhe të vitit elektoral është më mirë që të zënë vend planet për ekonominë prodhuese, struktura e ekonomisë dhe gjithë struktura e saj e rentabilitetit, pasi edhe për këtë tregues jemi në vend të fundit”, pohon eksperti.

Dy janë rrugët kryesore që Civici i vlerëson pozitive nëse ndërmerren nga qeveria.

“Masat do t'i ndaja në 2 grupe. Së pari një grup masash janë ato që bëjnë pjesë në mbështetjen sociale, çka do të thotë që ato shtresa që janë më të prekura, që janë të kërcënuara nga papunësia, varfëria dhe mungesa e konsumit, këto kategori të bëhen pjesë e mbështetjes sociale më të madhe.  Së dyti një paketë e veçantë duhet edhe për biznesin dhe për ekonominë. Lehtësira fiskale përmirësim i klimës së biznesit dhe një mbështetje më e madhe për të rritur aktivitetin e prodhimit”, tha ai.

Pak ditë më parë BERZH rishikoi në rënie prej 7.5% pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2021, nga 12% që u tha në prill tanimë pret një rikuperim prej 4.5%.