Rindërtimi/ 900 banesa individuale gati deri më 31 dhjetor! Ahmetaj: 260 shtëpi nuk ndërtohen si pasojë e terrenit malor, iu japim lekë në dorë

10 Nëntor 2020, 11:44 | Përditesimi i fundit: 2020-11-10 17:13:55

TIRANË- Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj i pranishëm në komisionin e Ekonomisë për të prezantuar Buxhetin 2021 për rindërtimin ka folur me shifra për ecurinë e punimeve të këtij procesi aktualisht. Ministri tha se brenda këtij viti do të përfundojnë rreth 900 banesa individuale.

“FSHZH do të ndërtojë 2500 banesa individuale, vetëm Kamzë me 260 shtëpi nuk ka pasur prokurim me sukses, për shkak të çmimit të ngushtë dhe ka sjellë probleme për kompanitë. Kamza është anuluar 2 herë presim tenderin tjetër. 500 banesa do i kemi gati brenda 31 dhjetorit në Shijak, Durrës Manzë. Në Tiranë pritet të përfundojnë 300- 400 banesa në fund dhjetorit”, u shpreh Ahmetaj.

Ndërkohë Ahmetaj ka njoftuar se gjatë procesit janë hasur disa vështirësi dhe për këtë arsye janë 260 shtëpi individuale që nuk mund të ndërtohen për shkak të terrenit malor.

“Vitin tjetër marrim 28 miliardë lekë, dhe është vazhdimi i të gjithë programeve të nisura këtë vit. Një ndryshim mund ta bëjmë me vendim ka vështirësi në vendet malore për banesat individuale për të ndërtuar modelin, dhe për ato shtëpi që nuk ndërtohen dot nga kompanitë nëpërmjet bashkive atyre familjeve tu japim shumën totale në dorë dhe të ndërtojnë vetë ata ose të blejnë shtëpi diku tjetër, dhe janë rreth 260 shtëpi që për shkak të gjeologjisë janë të pamundura për tu ndërtuara si modele”, tha ministri.