Rindërtimi/ Cara për Report Tv: 160 apartamente në Kurbin gati brenda marsit, pjesa tjetër në gusht!

30 Nëntor 2020, 14:48 | Përditesimi i fundit: 2020-11-30 14:58:34

KURBIN- Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara në një intervistë për Report Tv ka dhënë detaje mbi procesin e rindërtimin në këtë zonë, e cila është ndër më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit. Cara tha se 160 apartamente priten të jenë gati në muajin mars, ndërsa  pjesa tjetër më konkretisht 364, do të jenë gati brenda gushtit. Këto apartamente, në total 524 janë të financuara nga qeveria turke.

"Në Kurbin janë shpallur dy zona të reja për rindërtim, ku në kantierin e zonës së parë, me financimin e qeverisë turke puna po ecën me ritme të larta për 524 apartamente, ku sipas drejtuesit teknik 160 apartamentet e para do të dorëzohen më mars, pjesa tjetër deri në fund të gushtit. Ndërkohë që në zonën 1/2 ka filluar puna e infrastrukturës ku investitor është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është  i përfshirë edhe spitali. Në zonën 1/1 do kemi edhe një shkollë të financuar nga qeveria shqiptare, ku do integrohen me apartamentet nga qeveria turke", deklaroi ajo.

Ajo ka vënë theksin se mungesa e një spitali, i cili është dëmtuar nga tërmetit, ua ka vështirësuar punën.

"Spitali i qytet ka pësuar dëme të mëdha dhe i është nënshtruar shembjes dhe shërbimi mjekësor po merret në një ambient tjetër dhe pushtetit vendor i është vështirësuar puna. Bashkia ka pasur dëme të mëdha, puna po bëhet në një ambient tjetër, të vështirë e kemi pasur menaxhimin, por po ia dalim mrekullisht", tha Cara.

Aktualisht në Bashkinë e Kurbinit, 1615 familje trajtohen me bonus qiraje.

"Në Kurbin trajtohen 1615 familje me bonus qiraje, janë familje që u janë shembur shtëpitë, kemi dhe 41 pallate që do i nënshtrohen shembjes. Kështu që gjithë familjet janë të akomoduar në banesa me qira", shtoi numri një i qytetit.

Në fund, në intervistën për Report Tv, Cara ka deklaruar se po planifikohen edhe mënyra se si t'i gëzojnë këto familje për festat e fundvitit, por pa dhënë shumë detaje.

"Kemi menduar që të realizojmë diçka për familjet në nevojë, kryesish të të prekurve nga tërmeti, që do iu vijnë në ndihmë në ditët e para të festave për të gëzuar me familjet e tyre", përfundoi Cara në intervistën për Report Tv.