Rindërtimi dhe COVID do marrin më shumë para! Bashkia e Tiranës kërkon financim për Teatrin Kombëtar

10 Nëntor 2020, 20:48

Kuvendi dhe qeveria do të ndryshojnë skemën e financimit të bashkive për vitin 2021, për shkak të pasojave të krijuara nga tërmeti dhe covid-19. Transferta e pakushtëzuar ose buxheti që u jep qeveria bashkive mbi buxhetin e përgjithshëm të tyre nuk do ndahet sipas popullsisë, dendësisë, numrit të fëmijëve në kopshte dhe numri i nxënësve, por sipas nevojave për të përballuar rindërtimin pas tërmetit dhe pasojat e koronavirusit.

Ndryshimi i formulës u propozua sot nga deputeti Anastas Angjeli, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, ku u shqyrtuar buxheti i pushtetit vendor.

Ne kemi rastin që përjashtimisht për këtë vit të studiojmë më me vëmendje nevojat që kanë bashkitë duke u nisur nga kushtet konkrete të tyre, që do të thotë që bashkitë që janë prekur nga tërmeti dhe covid-19, kush lidhet me turizmin, t’u shtojmë grandin. Ne duhet të ndërhyjmë në ligj. Unë do të bëj propozimin si relator dhe kam folur me Ministrinë e Financave, që përjashtimisht këtë vit të mos zbatohet formula për transfertën e pakushtëzuar. Nëse është prek nga tërmeti, do t’i japim më shumë, nuk do ruajmë formulën. Këtu po prishet formula e gjithë botës, po prishin formulën e borxhit dhe deficitit, ne nuk po prishkemi dot formulën e atij Franit në Ministrinë e Financave! Jemi mirë ne apo nuk jemi mirë?! Ne e kemi në dorë, kush e ka!”, tha Angjeli 

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, paraqiti disa kërkesa për qeverinë, si zbatimin e detyrimit për bashkëfinancimin e 17 shkollave në Tiranë, dhënien e 2 % të tatimit për të ardhura personale që i takon bashkisë, pagesat për koncesionin e mbetjeve si dhe financimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e teatrit deri kur të negociohet kredia.