Rindërtimi i ' Notre Dame', në më pak se 24 orë dhurohen gjysmë miliard euro

16 Prill 2019, 16:22

Në më pak se 24-orë  nga djegia e Katedrales së Parisit, janë mbledhur rreth gjysmë miliardë euro për rindërtimin e "Notre Dame". Miliarderët dhe bizneset kanë dhuruar shifra të mëdha parash, për të shpëtuar "një pjesë të historisë  së Francës".

Angazhimi i fundit ka ardhur nga kompania franceze e naftës dhe gazit Total. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Patrick Pouyanné, ka dhuruar 100 milionë euro. Të  njëjtën shumë ka dhuruar më herët edhe miliarderi francez François Pinault. Gjithashtu, familja e Bernard Arnault, manjatit francez të biznesit që zotëron mallra luksoze dhe shtëpi modës LVMH, ka premtuar të kontribuojë me 200 milionë dollarë. 1 milion euro janë dhuruar edhe nga kompania e teknologjisë "Capgemini". Shuma e përgjithshme e premtuar nga bizneset franceze dhe udhëheqësit e biznesit deri më tani është 401 milionë euro. Kjo shifër nuk përfshin 80 milion euro të vendosur në dispozicion nga Bashkia.