Rindërtimi/ Lindita Nikolla: Në Qarkun e Lezhës, shndërrim tërësor! PS del forcë e parë më 25 prill

25 Janar 2021, 14:29 | Përditesimi: 25 Janar 2021, 14:29

Në Qarkun e Lezhës Partia Socialiste synon që të mbajë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, madje edhe thellimin e rezultatit. Ky është objektivi i shpalosur nga drejtuesja për PS-në në qark, Lindita Nikolla, në një intervistë për Report Tv.

"Ne jemi duke punuar me strukturën prej muajsh. Në 21 njësitë vendore kemi 21 shtabet e PS. Jemi duke punuar ashtu sikurse programi i partisë . Rezultati i 2017-s është objektivi minimal, por në sajë të punës që kemi bërë mendojmë thellimin e fitores së PS-së në Qarkun e Lezhës.  Listat këtë herë kanë një specifikë që janë të hapura. Do të ketë një renditje por kushdo tjetër që merr votat sa herësi.  Ajo që po diskutojmë është të kemi një skuadër kompakte dhe përfaqësuese për komunitetin që në Lezhë është 'shumëngjyrësh'. Do të ketë përfaqësues që vijnë edhe nga platforma. E rëndësishme është që ky është një lajm i mirë dhe këta persona do të jenë vlerë e shtuar për PS-në.  Është besoj pjesë e proceseve normale të PS që persona të rinj të hyjnë në proces. Ndryshe do të kishim të njëjtat lista. Ndaj nuk ka asnjë hatërmbetje, mjafton të shihni se si po punojnë të gjithë deputetët në terren", tha ajo.

Sipas Nikollës e gjithë puna e bërë nga PS në këto 2 mandate kërkon edhe fazën finale që do të jetë mandati i tretë.

"Vëmendja është në të gjitha qarqet për të marrë rezultatin maksimal për Partinë Socialiste.  Në kalkulimet tona ne jemi përpjekur të jemi shumë objektivë. Në vitin 2017 është fakt rezultati që mori PS. Por edhe sondazhet që janë kryer thonë se PS fiton përballë opozitës së bashkuar", vijoi deputetja e PS-së.

E pyetur në lidhje me përgjimet e antimafias italiane, ku flitet edhe për kontakte të 'Ndrangheta-s' me persona publikë në Shqipëri, Nikolla deklaroi se gjithçka duhet t'i lihet në dorë drejtësisë.

"Ky nxitimi për të etiketuar si bashkëpunëtore të mafias është një keqkuptim që politika i bën këtyre ngjarjeve. Unë mendoj se drejtësia duhet të bëjë drejtësi edhe kur akuzat drejtohen ndaj figurave të rëndësishme të shtetit dhe politikës. Thirrja imë që patjetër të bëhet drejtësi dhe askush të mos jetë i pandëshkueshëm. Ndërsa nxitimi për të bërë gjykim me deklarata nuk është drejtësi", tha  Nikolla.

 

b.ha./Shqiptarja.com