Rindërtimi në Durrës, Sako: Është përzgjedhur firma për projektet e 120 pallateve!

7 Janar 2021, 23:26

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga tërmeti shkatërrimtar, pallatet në Durrës do ti nënshtrohen riinspektimit. Lajmi bëhet i ditur nga kryebashkiakja Emirjona Sako në një intervistë për Report Tv. Ajo deklaroi se është shpallur firma fituese që do të kryejë rivlerësimin e dëmeve për 120 pallate të shkallës DS4.

“Janë rreth 120 pallate në Durrës që do ti nënshtrohen kësaj procedure. Kemi marrë fondin kemi bërë përzgjedhjen e studios dhe ka filluar puna për hartimin e projekteve. Çdo objekt do të ketë projektin e detajuar preventimin e detajuar. Pas hartimit të këtyre projekteve do ti drejtohemi sërish institutit për të marrë sërish oponencën e objektit dhe lejes specifike dhe për të autorizuar këto punime që kanë parashikuar ekspertët do ti pajisim me leje. Ndërtimi dhe do kërkojmë fond në ministri e do fillojnë projektet”, tha Sako.

Kryebashkiakja në detyrë e Durrësit theksoi se nëse  vlera e një pallati që do riparohet e është më shumë se 70 % e kostos së ndërtimit do të shembet për tu ndërtuar nga fillimi.

“Ky proces do të nxjerrë edhe objekte të cilat mund të shemben. Pra nëse ne do të kemi një kosto për riparimin e objektit mbi 70% të vlerës, atëherë objektet do të kalojnë për shembje dhe ne do të kërkojmë të rindërtohen në të njëtin truall ashtu siç kemi bërë dhe me 30 objekte të tjera që ndodhen në qytetin e Durrësit të cilat ja në miratuar për rindërtim në të njëjtin truall.

Është e rëndësishme të theksoj se ne kemi marrë fonde për 6 objekte të cilat kanë pasur ekspertizë të thelluar. Pas hartimit të preventivave  të detajuara kemi marrë fondin në dispozicion tani po kryejmë procedurën për zgjedhjen e firmës në mënyrë që të fillojë puna për 6 objetet e para”, shtoi kryebashkiakja.

Ndërsa ka nisur puna për riparimin e pallateve që kanë shkallë dëmi më të vogël, klasifikuar nga Ds1 deri në Ds3.