DURRËS- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në gërmadhat e tërmetit në Porto Romano do ndërtohet një Park i Madh për të mbyllur plagën mjedisore të fushës së plehrave.
"Durrës, Porto Romano - Aty ku gërmadhat e tërmetit po kthehen në bazamentin e Parkut të Madh të qytetit, që më në fund do të mbyllë plagën e tmerrshme mjedisore të fushës gjysëmshekullore të plehrave", njoftoi Rama ditën e sotme.
Kryeministri Edi Rama u takua me inxhinierët të cilët thanë se duhen të paktën 16 muaj që ky park të jetë i përfunduar. Ndërkohë që Rama tha se në 1 qershor të 2021-it ky park duhet të ketë përfunduar.
“Sot jemi 7 dhjetor. I bie që në 1 qershor të 2021 këtu do të bëhet një festë për fëmijët me parkun e ri. Në 1 qershor të 2021 këtu do jetë festa më e madhe e parë ndonjëherë. Çdo katastrofë, me të gjitha të këqijat sjell edhe shanset për të rimarrë fillin, për të çuar më para se c’ishte. Ky është shans për ta shfrytëzuar. Se me ato ritme financimi do të kërkonte 3 vite e ca projekti", tha Rama.