Rindërtimi/ PD: Lagjja e re në Kombinat nuk duket, veçse në propagandën e qeverisë

8 Nëntor 2020, 14:17

KOMBINAT- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në një dalje për mediat ka vijuar me akuzat ndaj Ramës dhe Veliajt, ku thotë se kanë harruar banorët e kombinatit dhe se lagja e re është vetëm propagandë e qeverisë, pasi ende nuk kanë nisur shembjet.

'Ndodhemi në zonën e Kombinatit. Konkretish në këtë lagje është premtuar nga pinoku i bashkisë dhe shpura e propagandës që përdor Edi Rama, se do të ndërtohet lagja më e re e Kombinatit. Ata me 25 korrik e pagëzuan me Kombiart, ndërkohë këtu siç mund ta shikoni nuk kanë nisur shembjet dhe jo më të bëhet fjalë për rindërtimin e shtëpive', thotë Ina Zhupa.

Sipas zëdhënëses së PD, banorët nuk e dinë se si do të jetë fati i tyre dhe se nuk kanë asnjë kontratë të lidhur me bashkinë apo me ministrinë e Rindërtimit për ndërtimin e banesave të tyre të dëmtuara nga tërmeti i 26-nëntorit.

'Para një viti, pra në nëntorin e vitit të kaluar, Kombinati ishte një nga zonat më të goditura nga tërmeti. Rreth 1500 familje dolën të pastreha. Sot disa prej tyre trajtohen me bonusin e qirasë, por të gjithë nuk e dinë se si do të jetë fati i tyre. Askush nuk ka një kontratë të lidhur me bashkinë e Tiranës apo me institucionet e qeverisë siç është ministria e Rindërtimit. Askush nuk e di nëse do të jetojë në banesën e tij përsëri, kur të rindërtohet apo do të dërgohen në zona të tjera sipas preferencës së qeverisë apo të bashkisë Tiranë. Askush nuk e di se sa do të zgjasë procesi. Askush nuk e di se si do të jetë e ardhmja e tyre dhe familjeve të tyre. A do të jetojnë gjatë me bonusin e qirasë! A do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe si do të shkojë procesi i rindërtimit', shprehet Zhupa.

Në deklaratën e saj nga Kombinati Zhupa hedh akuzat se kjo është e qëllimshme që njerëzit të mos organizohen dhe se kantieret e ndërtimit te 5 Maji ose te Sami Frashëri janë kantiere një ditore vetëm kur shkon kryeministri.