Rindërtimi/ Rama në Bubq: Lagjet e reja do të jenë fantastike, por s'bëhen sa hap e mbyll sytë

24 Korrik 2020, 14:58 | Përditesimi i fundit: 2020-07-24 15:01:56

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj vizituan sot kantierin e rindërtimit në Bubq ku puna vijon për të jetëzuar planin e ri të zhvillimit për qendrën administrative e komunitare. Kryeministri Rama tha se procesi ka kaluar nëpër shumë etapa për të ardhur në pikën finale ku ndodhet sot. “Është një proces që ka kaq shumë shtresa, që nga fillimi i punës me konstatimet, pastaj me verifikimet, ankimimet, pastaj me financimin, projektimin, projektzbatimin, tenderimet dhe tani që të gjitha kanë filluar, faktikisht, nga pikëpamja e infrastrukturës.

Patjetër që padurimi bëhet më i madh çdo ditë, por padurimi më i padurueshëm është për ata që s’kanë lidhje me këtë proces, që janë nëpër shtëpitë e tyre edhe që kritikojnë, mallkojnë e këshillojnë pa lidhje, por këtu do jetë një gjë fantastike. Do bëjmë të gjithë kontratat dhe faktikisht në proces të gjithë ata që kanë nevojë për shtëpi do kenë kontratën dhe do ta presin vazhdimin dhe përfundimin e punimeve me kontratë në dorë, duke ditur ekzaktësisht çfarë do marrin, ku do e marrin, ndërkohë që puna do kohën e vet, nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë. Po ashtu këtu do jetë një pikë shumë e mirë se do zgjidhim edhe problemet që kemi pasur për shërbimet” u shpreh Rama.  ​Ministri i Rindërtimit tha se projekti i Rindërtimit nuk iu shërben vetëm atyre që u dëmtuan drejtpërdrejtë nga tërmeti, duke humbur shtëpitë, por edhe komuniteteve të këtyre zonave. “Do iu shërbehet jo thjesht atyre që do përfitojnë nga Rindërtimi, por gjithë zonës së Bubqit. Kthehet në një qendër komunitare për të gjithë zonën, pasi Bubqi nuk ka një qendër të mirëfilltë. Në fund të shtatorit ka ecur infrastruktura dhe fillon puna për njësitë individuale dhe pallatet,” u shpreh ministri Ahmetaj.