Procesi i rindërtimit, i ardhur pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019, sipas kryeministrit Edi Rama ka sjellë tre aspekte kryesore në vend si strehim cilësor, program punësimi masiv dhe impakt ekonomik të konsiderueshëm. Këtë deklaratë Rama e ka bërë, në një komunikim me mediat për procesin e rindërtimit, i shoqëruar nga ministri Arben Ahmetaj.
"Punësim masiv për 27 mijë persona që janë përfshirë në këtë program dhe që falë kantierëve të hapura të rindërtimit çojnë rrogën në familjet e tyre. Si dhe një impakt të konsiderueshëm në një ekonomi të cenuar në këtë kohë të mallkuar pandemia. Tragjedia e 26 nëntorit ka hapur një hapësirë të re për mundësi të reja dhe programi i rindërtimit ka ndikuar dhe po ndikon ndjeshëm në ekonominë tonë. Këto janë tre aspektet kryesore të këtij procesi", tha Rama.
Lidhur me programin elektoral të PS, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të prezantojnë një platformë të vitit 2030. Sipas tij jemi në kushte kur s’mund të flasim thjesht per një program elektoral per të marrë në dorë punët e vendit, por për një vizion për të vazhduar më tej mbi atë çfarë është bërë. Këtu shtoi se qytetarët së pari duhet të krahasojnë karakteret e liderëve politikë dhe më pas programet, për të kutptuar se kush bën më shumë. Shefi i qeverisë u shpreh i bundur se Partia Socialiste do të jetë në pushtet deri në vitin 2030 me apo pa të.
Në fokus të konferencës së përjavshme ishte dhe procesi i rindërtimit për të cilin kryeministri tha se përveç strehimit cilësor ofron punësim masiv dhe mundësi të reja ekonomike. Deri tani janë 27 mijë të punësuar, ndërsa ministri Ahmetaj dha shifra për familjet që jetojnë me bonus dhe ato në cadra. Ndër të tjera, ministri njoftoi dhe për një kredi të butë prej 90 mln eurosh në funksion të këtij procesi.
Ahmetaj foli dhe për programin e Partisë Demokratike që sipas tij, ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18%, është tallje me shqiptarët. Ahmetaj ka deklaruar se sot 13325 familje me bonus qiraje, kurse 680 familje janë në çadra. Sipas ministrit me taksën progresive do të përfitojë klasa e mesme.
