Rinis Vetingu me Donika Prelën dhe Vojsava Osmanajn, dosjet e 'nxehta' të vjeshtës

31 Gusht 2020, 20:14

Pas një pauze trejavore për shkak të pushimeve verës, Komisionet e Vetingut do të nisin pasnesër seancat e planifikuara për shqyrtimin e dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në proces rivlerësimi për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Në datën 3 shtator, në Komisionin e Posaçëm të Apelimit do të rifillojë shqyrtimi gjyqësor i dosjes së ish-kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prelës. Zonja Prela është konfirmuar në detyrë nga shkalla e parë e Vetingut që në shkurt të vitit 2019, por Komisioneri Publik ka kërkuar në shkallën e dytë dhe të fundit, shkarkimin e saj nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasuritë. 

Disa seanca të planifikuara nga KPA në korrik u shtynë pasi Prela kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues të Ina Ramës dhe Natasha Mullajt dhë në 27 korrik paraqiti përmes bashkëshortit në KPA një raport mjekësor. Gjatë procesit në shkallën e parë, zonja Prela u ironizuar nga vëzhguesi i famshëm ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili e krahasoi dosjen e saj me shijen e keqe të një ilaçi të kapërdirë pa ujë në mëngjes. Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do të rinisë punën në dy shtator me prezantimin e rezultateve të hetimit për gjyqtaren e Apelit të Shkodrës Vojsava Osmanaj dhe me 4 shtator për gjyqtarin e Apelit Tiranë, Artur Gaxha.

Ndërkaq, gjatë kësaj vjeshte dhe në vijim para Vetingut pritet të dali prokurori Dritan Gina, bashkëshorti i ish-drejtueses së Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, prokurori i Durrësit Arian Ndoja, gjyqtarja Mimoza Brahimi (Kajo), gjyqtari Ergys Selmani, gjyqtari i Tiranës Lazër Sallaku, gjyqtari Ibrahim Hoxha gjyqtari i Fierit Roland Hysi, gjyqtari i Gjirokastrës Guximtar Boçi, gjyqtari i Vlorës Ken Dhima etj. Komisioni i Vetingut ka marrë deri më sot në shqyrtim 221 gjyqtarë dhe prokurorë, nga të cilët 116 janë konfirmuar në detyrë dhe 105 janë shkarkuar nga detyra. Ndërkaq, 41 gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut.  

    No videos found.