Rinovohet flota e autoambulancave të Tiranës, shërbim me aparatura moderne edhe në banesë

7 Shkurt 2019, 18:12

Qyteti i Tiranës ka tashmë një flotë të rinovuar autoambulancash, të cilat ofrojnë një standard të ri në shërbimin e urgjencës mjekësore.Tre spitalet universitare janë pajisur me autoambulancat e reja, të cilat, falë aparaturave moderne, mundësojnë ofrimin e shërbimit edhe në banesë.

“Është trajnuar stafi dhe çdo spital universitar në Tiranë ka tashmë nga 3 autoambulanca të reja, ndërsa me zgjerimin e grupeve të terrenit do të jenë 15 autoambulanca të reja në territor, vetëm në Tiranë”, është shprehur drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Riorganizimi i QKUM-së ka siguruar përgjigje më të shpejtë për çdo urgjencë shëndetësore dhe  për pasojë, numri i thirrjeve për ndihmë është 4-fishuar.

 Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka marrë gjatë vitit 2018 202,349 thirrje drejt 127, mesatarisht 900 në ditë duke kryer 44, 462 misione. 56% e pacientëve kanë marrë shërbimin e duhur shëndetësor në kohë dhe në banesë dhe 44% e tyre janë transportuar për shërbim të specializuar në spital. Nga totali i misioneve të kryera, për 209 prej tyre ka qenë e nevojshme përdorimi i ekipit të njësisë së helikopterëve.